Regaib, në gjuhën arabe është shumësi i fjalës “ragibe”, që do të thotë se kjo është nata e dhuntive, dhuratave, shpërblimeve dhe nxitëse për vepra të mira. Nata e mirë Regaib, sipas kalendarit hënor, bie natën e xhumasë së parë (nata që lidh ditën e enjte dhe të premte) të muajit Rexhep, i cili është edhe muaji i parë i tre muajve të mirë.
Çdo natë e xhuma është e bekuar. Kur këto dy net puqen bashkë nata atëherë bëhet akoma më e bekuar dhe më e dobishme. Me vlerat e mëdha që përmban kjo natë, është njëkohësisht sihariqi dhe lajmëtari i parë i muajit të Ramazanit. Në aspektin psikologjik kjo është shumë e rëndësishme, sepse besimtari hyn në një parapërgatije shpirtërore dhe e drejton veten e tij drejt adhurimeve, përgjegjësive individuale dhe familjare duke urdhëruar të mirën e duke ndaluar të keqen.
Në këtë natë hazreti Emineja mendohet që ta ketë kuptuar që është shtatzënë më profetin tonë, Muhammedin, a.s.
Gjithashtu sipas mendimeve të dijetarëve islam, në këtë natë Allahu i Madhëruar, e ka begatuar profetin Muhammed, a.s., me dhunti dhe dhurata shpirtërore shumë të çmuara. Edhe profeti ynë i dashur e ka lavdëruar dhe falënderuar Allahun, xh.sh., me lutje, teube dhe namaz.
Allahu në natën e Regaibit u jep muslimanëve mirësi dhe begati të panumërta. Kjo është nata kur pranohen lutjet dhe pendesat dhe kur shpërblimet e adhurimeve janë të mëdha e të shumta. Profeti ynë i nderuar në një hadith të transmetuar nga Enesi, r.a., thotë: “Kujdes, përpiqu të rrish zgjuar në natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep, të mos e kalosh atë në shkujdesje, sepse melaqet e asaj nate i kanë vënë emrin Regaib!” Ndërsa në disa thënie të tjera , për rëndësinë e kësaj nate, Profeti Muhammed, s.a.v.s, thotë: “Ai që e vlerëson natën e Xhumasë së parë të muajit Rexhep (nata e Regaibit), Allahu i Madhëruar nuk e dënon në varr.” (Saadet-i Ebedije) “Lutja që bëhet në këtë pesë netë nuk kthehet mbrapsht: Në natën e Regaibit, në natën e pesëmbëdhjetë të muajit Shaban, të Xhumanë, natën e Bajramit të Ramazanit dhe të Kurbanit”. (Ibn Asakir)
Si përfundim themi që kjo natë duhet vlerësuar nga besimtarët me namaz, me lexim të Kur’anit, me teube (pendesë), i dërgohen salavatet Profetit, dita e enjte agjërohet dhe në darkë kryhen adhurime të llojeve të ndryshme, gjithashtu kjo natë kalohet edhe me punë të tjera të dobishme dhe sevapprurëse në fenë tonë. Nuk duhet të harrojmë që lutjet tona të fillojnë dhe të mbarojnë me salavate për profetin, duke ditur që lutja midis dy lutjeve të pranuara tek Zoti, pranohet.